
Postuar: Janar 22, 2025 | 16:19
Partizani është kthyer dje në stërvitje pas fitores kundër Teutës, shumë e rëndësishme për moralin e “demave”. Skuadra ka zhvilluar një seancë jo të ngarkuar, më së shumti në funksion të relaksimit të muskujve, përpara se të nisë stërvitja intensive për derbin e së dielës.
Dje me ekipin nuk janë stërvitur Bintsuka, Domgjoni, Kote dhe Buxhelaj. Ky i fundit vijon të ketë probleme shëndetësore me stomakun dhe do t’i duhen edhe pak ditë trajtim dhe analiza, përpara se të kthehet në fushë. Edhe Kote kërkon kohë, teksa Bintsuka dhe Domgjoni, të dy me probleme muskulore, pritet të kthehen sot normalisht në stërvitje.
Lajme të mira ka edhe nga portieri Pano Qirko, i cili ka përparuar në goditjen që mori në pjesën e legenit dhe ka nisur stërvitjen. Portieri do të ndiqet deri në fund për të parë nëse mund të luajë kundër Dinamos.
PANORAMASPORT.AL
