
Shqiptarë ka edhe në nivelet më të vogla të Armatës, megjithëse janë pak vende krahasuar me numrin që kuadrot maqedonase i kanë në duar. Nëse i numërojmë dhe nivelet më të ulëta, del se përfaqësimi i shqiptarëve është i tmerrshëm në Armatë. Dhe kjo situatë nuk është vetëm tani me këtë Qeveri, por edhe më herët, megjithëse tani është përkeqësuar më tej
Vedat MEMEDALIU
Shkup, 9 shkurt – Përveç Ministrisë së Mbrojtjes, dyer për shqiptarët i ka mbyllur edhe Shtabi i Përgjithshëm i Armatës. Nga rreth 36 drejtori, sektorë, zyra komanduese, zyre dhe njësi, Shtabi i Përgjithshëm i Armatës shqiptarëve ia ka besuar vetëm katër vende udhëheqëse: Komandën e Operacioneve e drejton Gjeneral Brigade Besnik Emini, shef i Njësisë për bashkëpunim ushtarak ndërkombëtar është Kolonel Mentor Saiti, Batalionin për mbështetje të shërbimit luftarak e drejton Nënkolonel Shpëtim Qerimi, si dhe Kolonel Muharrem Muharremi në Komandën e Bazës Logjistike, shkruan gazeta KOHA.
Kuadër shqiptar e drejton Qendrën e Riparimit Teknik dhe Batalionin për Mbështetje Logjistike. Majori Arben Ismaili të parën dhe Mexhait Memeti të dytën, megjithëse janë nënsektorë në Bazën kryesore Logjistike dhe detyra të vogla krahasuar me vendet tjera udhëheqëse në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm të ARM-së.Shqiptarë ka edhe në nivelet më të vogla të Armatës, megjithëse janë pak vende krahasuar me numrin që kuadrot maqedonase i kanë në duar. Nëse i numërojmë dhe nivelet më të ulëta, del se përfaqësimi i shqiptarëve është i tmerrshëm në Armatë. Dhe kjo situatë nuk është vetëm tani me këtë Qeveri, por edhe më herët, megjithëse tani është përkeqësuar më tej.
Në ndërkohë, shqiptarët tashmë nuk kanë qasje në dy shërbimet sekrete të Ushtrisë – në Drejtorinë e Zbulimit Ushtarak, si dhe në Kundërzbulimin ushtarak, si institucione të rëndësishme të Ushtrisë. Deri në kohën kur President i Maqedonisë së Veriut ishte Stevo Pendarovski, dy organet drejtoheshin nga kuadro shqiptarë, ndërsa tani as zëvendësit nuk janë të etnitetit shqiptar.
Se po ndodh diskriminim i hapur ndaj shqiptarëve në Shtabin e Përgjithshëm të Armatës u pa që muajin e parë pasi Gordana Siljanovska Davkova mori detyrën e Presidentes së shtetit. Duke mos dashur ta emërojë gjeneral Besnik Eminin në krye të Ushtrisë, ajo me dekret e rriti në detyrë Sashko Lafçinskin, nga Gjeneral Brigade në Gjeneral Major dhe të nesërmen, e emëroi shef të Shtabit të Përgjithshëm të Armatës. Dhe, sot e kësaj dite, Antikorrupsioni dhe institucionet tjera të shtetit heshtin për shkeljen e ligjit nga ana e Davkovës.
Nga kushtet kryesore, të cilat Lafçiski sot e kësaj dite nuk i plotëson – mbetet mosha dhe stazhi. Shefi i shtatmadhorisë kërkohet të ketë të paktën 6 muaj përvojë si komandant i Komandës së Operacioneve, ndërsa rregullativa ligjore obligon që në krye të Shtabit Gjeneral, të shkohet vetëm me kushtin që të paktën 6 muaj të jetë në krye të Komandës së Operacioneve. Këtë kush e plotësonte vetëm Besnik Emini. Mbi të gjitha, Lafçiski si gjeneral brigade nuk e kishte as përvojën 4-vjeçare ashtu siç kërkon ligji që të mund të emërohet gjeneral major.
Në uljen e numrit të përfaqësimit të drejtë në Ushtri pa dyshim se do të kontribuojë edhe “mbyllja” e Akademisë Ushtarake “Gjeneral Mihajllo Apostollski”, si Akademi e vetme në Maqedoninë e Veriut që “prodhon” kuadro për Ushtrinë. Në këtë Akademi, gjithsej janë 28 veta personel, ndërsa shqiptarët përfaqësohen me zero. Kjo akademi që nxjerr kuadro për nevojat e Shtabit të ARM-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes nuk ka gjetur vend për kuadrot shqiptare as si asistentë, e të mos flasim për ligjërues të rregullt.
Përveç në personelin drejtues të Akademisë, diskriminimi etnik shihet edhe tek numri i studentëve shqiptarë që pranohen për studime e që mbulohen tërësisht nga shteti. Nëse vitet e kaluara kishte më së paku 5 studentë shqiptarë, në vitin e ri akademik studimet i ndjek vetëm një i ri shqiptar dhe 29 tjerë maqedonas. Në vitin akademik 2023-2024, studimet i ndjekin 6 shqiptarë, ndërsa për këtë vit akademik (2024-2024) është pranuar vetëm një. Dhe ndryshe nga vitet tjera, tashmë në faqen zyrtare dhe në Listën e maturantëve të pranuar, nuk jepet asnjë informatë sesa maturantë – të ndarë sipas etnisë, kanë aplikuar për studime në Akademinë e vetme Ushtarake në vend. (koha.mk)